Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti sot mbledhjen e parë për vitin 2021, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për çështje me rëndësi në futbollin e Kosovës.

Në mesin e shumë çështjeve që diskutuan, FFK mori vendim rreth zhvillimit të ndeshjes së Superkupës, ndërmjet kampiones në fuqi Dritës dhe fitueses së Kupës, Prishtinës, e cila ndeshje zakonisht i paraprinë fillimit të edicionit të ri, por për shkaqe të pandemisë COVID-19 dhe orarit të ngjeshur të garave nuk kishte arritur të zhvillohej, andaj me pëlqimin e të dyja klubeve u vendos që kjo ndeshje të zhvillohet në Antalia më 23 janar, duke pasur parasysh se në këtë periudhë kohore të dy klubet gjenden në përgatitje në Turqi.

Komisioni Ekzekutiv shqyrtoi edhe mundësitë e përkrahjes financiare të klubeve para fillimit të stinorit pranveror, duke pasur parasysh gjendjen e vështirë të tyre për shkak të pandemisë dhe do të bëjë gjithçka që është në mundësitë e saj që sërish t’u del në krahë klubeve.