Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga kryetarja Vjosa Osmani, vendosi që të premten më 16 tetor në orën 10:00, Kuvendi të vazhdojë punimet me pikat e mbetura nga seancat e kaluara.

Ndërkaq në orën 11:00, në të po të njëjtën ditë, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re plenare, në të cilën, pas ezaurimit të deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të shqyrtohen disa projektligje: Projektligji nr. 07/L-025 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit, Projektligji nr. 07/L-030 për ratifikimin e Marrëveshjes Kornizë për Kredi ndërmjet Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe Kosovës -instrumenti për financim të sektorit publik për reagim emergjent ndaj COVID-19, Projektligji nr. 07/L-035 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Projektligji nr. 07/L-036 për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

Në shqyrtim të parë ndërkaq do të shqyrtohen tri projektligje: Projektligji nr. 07/L-013 për Peticione, Projektligji nr. 07/L-037 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë dhe Projektligji nr. 07/L-026 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-174 për Financimin e subjekteve politike, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin Nr. 04/L-122 si dhe Ligjin Nr. 003/L-073 për Zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 03/L-256.

Në këtë seancë Kuvendi në shqyrtim të parë do të shqyrtojë edhe projekt Kodin Civil të Republikës së Kosovës nr. 07/L-019, si dhe raportin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Po ashtu u vendos që në këtë seancë plenare pikë e rendit të ditës do të jetë edhe emërimi i gjashtë anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas dhe zgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Në mbledhjen e sotme, me rekomandim të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Kryesia miratoi kërkesat buxhetore të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2021 në bazë të qarkores së dytë buxhetore të Ministrisë së Financave 2021/02, si dhe raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për gjashtë mujorin e parë të vitit 2020.

Kryesia shqyrtoi edhe çështja të tjera nga fushëveprimtaria e saj. /21Media