Mbledhja e 23 e Qeverisë

Mbledhja e 23 e Qeverisë

Qeveria në detyrë e Kosovës ka mabjtur mbledhjen e saj të 23-tën me radhë, me ç’rast Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për vendimet që u shqyrtuan dhe u morën.

Vendimi i parë që ka marr miratimin e Qeverise në mbledhjen e sotme ka qenë Vendimi për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) në Qeverinë e Republikës së Kosovës . Vendimi synon të racionalizoj shpenzimet e parasë publike për përdorimin e telefonave në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Me këtë vendim shfuqizohet Vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 22.01.2008, si dhe pezullohen nenet ( 2, 3, 4, 5, 6, 7 dhe 8 ) të Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2008 për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) në Qeverinë e Kosovës. Vendimi përcakton zyrtarët përfitues të telefonisë mobile dhe shumat e aprovuara që do të mbulohen nga buxheti. Gjithashtu vendimi përcakton edhe të drejtën dhe shumën e lejuar të harxhimeve edhe në telefonin fikse në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Pasi ka shqyrtuar, Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e fuqizimit të sektorit financiar. Projektligji i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

Ka marr miratimin e kabinetiti qeveritar edhe vendimi me të cilin i kërkohet Kuvendit të bëjë ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, me ndryshimet dhe plotësimet e bëra. Vendimi obligon Ministrinë e Financave dhe Transfereve që brenda 6 muajve nga kalimi i situatës së pandemisë të hartojë një plan afatmesëm brenda të cilit do të përshtat kufirin e tejkalimeve të përkohshme që do të autorizohen nga Vendimi i Kuvendit dhe t`i sjell ato në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

Kabineti qeveritar ka miratuar Nismën për negocimin e paketës së marrëveshjeve ndërkombëtare me qëllim të sigurimit të financimit publik për përballimin e situatës së krijuar nga Virusi Corona (COVID 19), me Institucionet Ndërkombëtare Financiare, si në vijim:

·         Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe anëtarët e tjerë të Bankës Botërore;

·         Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim;

·         Fondi Monetar Ndërkombëtar;

·         Banka Islamike për Zhvillim;

·         Agjensionet zyrtare për përkrahjen (financimin) e eksportimit; dhe

·         Institucionet zyrtare financiare bilaterale të vendeve të jashtme ose të Bashkimit Evropian;

·         Banka Evropiane e Investimeve.

Kufiri i përgjithshëm i autorizimit të dhënë sipas këtij vendimi për marrëveshjet financiare të huasë është 250 milionë euro ose ekuivalent, me afat të maturimit deri në 15 vjet dhe me normë të interesi jo më të lartë se 3 për qind.

Miratimin e Qeverisë kanë marr edhe nismat për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2019, pjesa e dytë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Marrëveshjes financiare për IPA 2020, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Janë shqyrtuar dhe miratuar nga kabineti qeveritar edhe nismat për lidhjen e Marrëveshjes financiare trepalëshe mes Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për vitin 2019, për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe Marrëveshjes financiare trepalëshe mes Bashkimit Evropian, Kosovës, Malit të Zi për vitin 2019, për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe Marrëveshjes financiare trepalëshe mes Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Shqipërisë për vitin 2019, për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II mes Kosovës dhe Shqipërisë

Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete financiare për Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës Çlirimtare të Kosovës, në shumë prej 161,650 euro, sipas kërkesës së Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, për përmbushjen e obligimeve ligjore të aktiviteteve për zbatimin e të cilave kërkohet mbështetje buxhetore.