Kundërshtime dhe akuza ndaj vendimit të KSHC-së

Kundërshtime dhe akuza ndaj vendimit të KSHC-së

Komisioni për Arsim sot mblidhet për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar pas vendimit të Komisionit Shtetëror të Cilësisë (KSHC).

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë që të mos akreditojë për këtë vit tri universitetet publike, atë të Prizrenit, Mitrovicës dhe Pejës është pritur me kundërshtime dhe akuza.

Pas vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mosakreditimin e tri Universiteteve Publike, kishte edhe reaguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Kreu i Qeverisë këtë vendim e quajti si të papranueshëm dhe të padrejtë.

Ndërkohë, vet KSHC-ja ka shprehur shqetësimin për manipulimin e opinionit publik dhe përdorimin e vendimeve të tyre për lojë politike. Ata thanë se do të rezistojnë ndaj çdo ndërhyrje në pavarësinë e AKA-së dhe vendimmarrjen e KShC-së dhe se çdo ndërhyrje të paligjshme nga politika do ta denoncojnë në institucionet e drejtësisë.

Ndryshe, mbledhja e Komisionit për Arsim është planifikuar të mbahet në ora 13:00.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) vendosi që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020, Universitetit Publik të Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit. KShC po ashtu  nuk u ka dhënë akreditim disa institucioneve private si FAMA, Iliria, Tempulli dhe Kosova Art Academy, ndërsa Kolegji Biznesi dhe Juridica nuk kanë aplikuar fare çka me automatizëm nënkupton mosakreditim.

Kosova ka shtatë Universitete Publike: Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universiteti i Prizrenit ”Ukshin Hoti”, Universiteti i Pejës ”Haxhi Zeka”, Universiteti i Gjakovës ”Fehmi Agani”, Universiteti i Gjilanit ”Kadri Zeka”, Universiteti i Mitrovicës ”Isa Boletini” dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj./21Media