Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 22-të

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 22-të

Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur mbledhjen në të cilën ka vendosur që masat e deritanishme për virusin COVID-19 të mbesin në fuqi. Këto masa, duke përfshirë edhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, do të mbesin në fuqi deri në një vendim tjetër

Kjo është bërë e ditur në një komunikatë për media të dërguar nga zyra për informim e Qeverisë së Kosovës.

“Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 01/15 i datës 23.03.2020, i ndryshuar dhe plotësuar me Vendimin Nr. 02/17 të datës 27.03.2020 për ndalimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve, mbetet në fuqi deri më datë 12.04.2020”, theksohet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, do ta ri-vlerësojë çdo ditë dhe në lidhje me secilin vendim të lartcekur, pas konsultimeve paraprake me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ministrive të tjera të linjës dhe ekspertët përkatës, mund t’i rekomandojë Qeverisë mbetjen në fuqi, ndryshimin apo plotësimin ose shfuqizimin e tyre.

“Vendimi obligon institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e tij, ndërsa ky vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës shfuqizon vendimin Nr. 01/18 i datës 28.03.2020 i cili rregullonte zbatimin e vendimeve të lartcekura”, thekson njoftimi.

Ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka shpallur antikushtetues vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalim të lëvizjes së lirë të qytetarëve./21Media