Pas kronikave të TV21 institucionet përveshin mëngët

Pas kronikave të TV21 institucionet përveshin mëngët

Pas dy kronikave që apeluam për gjendjen e mjerueshme të Muzeut të UÇK-së, institucionet i janë përveshur punës dhe kanë pastruar gjysmën e oborrit të këtij muzeu. Edhe flamurin e kanë zëvendësuar me një të ri.

Jo i gjithë oborri por pjesërisht është pastruar.  Edhe pas këtij pastrimi ky muze vazhdon të jetë i mbyllur për vizitorët. Nga bari i madh që ishte para muzeut nuk dukeshin dy statuja të lashta që kishin qenë para oborrit. Tani edhe ato dolën në shesh.

Kontaktuam edhe me Komunën e Çairit për të parë se kush po e pastron Muzeun e UÇK-së.

“Ju informojmë se gjatë gjithë kësaj periudhe po punojmë në drejtim të ri-funksionalizimit të muzeut. Janë zhvilluar bisedime serioze me udhëheqësin e Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për ta bërë atë pjesë të këtij institucioni, me bartjen e kompetencave të menaxhimit dhe drejtimit në Departamentin e Muzeologjisë në kuadër të këtij instituti”, thonë nga Komuna e Çairit.

Muzeu i Lirisë, apo Muzeu i UÇK-së siç njihet prej vitesh po qëndron i mbyllur. Jo rrallë herë para zgjedhjeve, partitë politike fushatën zgjedhore e kanë filluar nga ky vend me peshë historike.

Nga Komuna e Çairit theksuan se shumë shpejt ky objekt do të jetë në funksion dhe do të jetë i hapur për të gjithë vizitorët.

Në këtë muze qëndrojnë fotografitë e dëshmorëve të kombit./21Media