Veprat e artit pamor, të cilat nga sot do të vendosen në Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës po konsiderohen të jenë pjesë e pasurisë shtetërore të Kosovës. Kështu u vlerësua sot gjatë ceremonisë së bartjes së aseteve dhe veprave të artit pamor të 121 autorëve të Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha që këto vepra janë pasuri shtetërore dhe pjesë e kulturës së vendit tonë. Ai përshëndeti përkushtimin e akterëve relevantë për përkushtimin e tyre 5 vjeçar për kryerjen e procedurave të nevojshme administrative dhe ligjore.

“Është vërtet moment i mirë, një ditë e mirë, që këto vepra artistike bëhen pjesë e kulturës dhe pasurisë shtetërore të Kosovës për brezat e ardhshëm[…]Është moment i mirë që tash këto bëhen pjesë e Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe ka mundësi t’i shijojë secili qytetar i vendit”, tha ai.

Ministrja Vlora Dumoshi tha se kjo është një ditë historike për vendin, pasi veprat artistike po rikthehen aty ku e kanë vendin. Dumoshi theksoi se autorët e këtyre veprave do të jetojnë gjithmonë me punën e tyre artistike që kanë lënë pas vetes.

“Evidentimi është kryer qysh moti, në bazë të Komisionit i cili ka qenë. Sot do të bëhet bartja me shumë kujdes. kemi këtu edhe nga Galeria e Artit Kombëtar, kjo do të jetë pasuri në fondin tonë”, tha ajo.

E drejtori i AKP-së, Valon Tolaj tregoi se ishin fjalët e bashkëshortes së skulptorit Agim Çavdarbasha, që shërbyen si shkas për të transferuar përfundimisht këto monumente kulturore në Galerinë e Arteve. “Një prej takimeve që më së shumti më ka rënduar emocional më së shumti, ka qenë takimi me znj. Qavdarbasha, bashkëshorten e të ndjerit Agim Qavdarbasha, dhe e kam në mend një fjali, ka thënë: ‘kjo skulptura që është këtu, shkoj shpesh në hotel Grand, ndalem e shikoj dhe më duket se çmallem me Agimin. Ky ka qenë një prej motiveve që na ka nxitur të gjithëve, anipse prej 2015-ës, në këtë proces është punuar intensivisht në AKP për transferimin”, tha ai.