Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, Faik Hoti sot foli për hapjen e fazës së dytë, të hapjes graduale ekonomike të disa veprimtarive në vendin tonë.

Hoti në “Për ditë të mbarë” tha që veprimtaritë që do të hapen sot duhet të punojnë me kujdes të shtuar. Ai tha se Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur udhëzuesin sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i cili sot do të jetë në dispozicion të veprimtarive.

“Aty do të ketë udhëzime të veçanta se si do të punojë përshembull stomatologu, si duhet të veprojë tregu, si do të punojnë floktarët”, tha ndër të tjera Hoti, shkruan rtv21.tv

Ai shtoi se personat që ofrojnë, si dhe ata që marrin shërbime duhet të bartin maska dhe të ruajnë distancën fizike.

Sot do të fillojë faza e dytë e masave të lehtësimit në Kosovë, gjatë së cilës do të ketë hapje më të madhe të ekonomisë dhe lëvizje të shtuar të qytetarëve. Në fazën e dytë do të rihapen floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia (merre-me-vete), transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban (me leje të veçanta), qendrat e thirrjeve telefonike (me lista të stafit esencial), si dhe hapja e galerive dhe muzeve.

Qytetarët do të mund të lëvizin katër orë, dy orë paradite dhe dy orë pasdite, sipas shifrës së parafundit në numrin personal të letërnjoftimit. Ndryshe, faza e parë e lehtësimit të masave kundër koronavirusit në Kosovë ka filluar më 4 maj, teksa faza e dytë parashihet të zgjasë deri më 1 qershor./21Media

#PDTM Zëdhënësi i #MSH-së flet për mënyrën e funksionimit të veprimtarive që hapen sot

#PDTM Zëdhënësi i #MSH-së flet për mënyrën e funksionimit të veprimtarive që hapen sot

Gepostet von RTV21 am Sonntag, 17. Mai 2020