"Kosova përjetë do të jetë shtet i pavarur dhe sovran”

“Kosova përjetë do të jetë shtet i pavarur dhe sovran”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot deklaroi se askush nuk ka të drejtë të ndajë Kosovën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se askush nuk ka të drejtë ta largojë vendin nga integrimet euroatlantike.

Kjo deklaratë vjen pas një vizite që i pari i Kuvendit e bëri në një kompani prodhuese në Gjilan. Kryeparlamentari u pyet nga gazetarët për takimin që pati sot me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

“Kosova në drejtimin perëndimor, askush nuk ka të drejtë dhe askush nuk do të ndajë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga orientimi ynë perëndimor. Kosova drejt ndërmarrësisë, drejt njerëzve inovatorë, rinia le të qëndrojë në Kosovë. Në Kosovë duhet të zhvillohet jeta, të zhvillohet perspektiva, ta fuqizojmë shtetin, për arsye se nuk ka nevojë t’i hapim dilemë vetes, as nuk do të lejojmë t’i hapim vetvetes dilemë. Dilemat i kemi mbyllur më 12 qershor 1999, populli i Kosovës, me sakrifica, edhe me një çmim shumë të madh, e kemi larguar Serbinë nga Kosova, por Serbia është fqinji ynë me të cilin duam të kemi paqe. Por Kosova përjetë do të jetë shtet i pavarur dhe sovran dhe kjo do të jetë orientimi ynë.”, tha Veseli.

Para se të vizitonte Gjilanin, Kadri Veseli priti në kabinetin e tij ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, por pas takimit, i cili zgjati rreth 40 minuta, asnjëri zyrtarëve nuk u prononcua për media.