Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, moslejimin e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës e ka quajtur absurde dhe shqetësuese në kohën kur diaspora fillon të kthehet për pushime verore në Kosovë.

Ai thotë se masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore duhet të respektohen, por edhe nevoja e bashkatdhetarëve tanë që të vizitojnë vendin e tyre duhet të jetë prioritet dhe nuk duhet të cenohet.

Veseli me këtë rast u bën thirrje autoriteteve vendimmarrëse që menjëherë t’i krijojnë kushtet që diaspora jonë të gëzojnë të drejtën e ardhjes në Kosovë përmes linjave ajrore.

Ata vijnë nga vende që e menaxhojnë mirë pandeminë. Diaspora nuk mund të vuajnë nga paaftësia e menaxhimit të pandemisë, ata nuk janë fajtorët për këtë”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, njoftoi se janë anuluar të gjitha fluturimet e datës së sotme.

Edhe pse zyrtarisht nuk është dhënë ndonjë arsye, ajo lidhet me shtimin e numrit të rasteve të reja me koronavirus.