Lideri i PDK-së, Kadri Veseli e ka mirëpritur vendimin e MCC-së për zhbllokimin e fondeve. Veseli në një shkrim në Facebook u shpreh se ky është lajm i shumëpritur, teksa ka drejtuar akuza ndaj Qeverisë së kaluar për siç thotë ai cenim të raporteve me Amerikën.

“Zhbllokimi i fondeve milionëshe të MCC-së për Kosovën, është lajm i mirë dhe i shumëpritur. Kosova asnjëherë nuk është dashur që të ketë dilema rreth aleancës dhe bashkëpunimit me SHBA-të. Por falë sjelljes së rrezikshme të ish Qeverisë Kurti që cënoi këto raporte të shenjta me Amerikën, Kosova dhe populli i saj përjetoi një nga përvojat më të këqija në këto njëzet vitet e lirisë dhe pavarësisë tonë.”, ka shkruar mes tjerash Veseli.

I pari i PDK-së pati një këshillë për Qeverinë aktuale.

“Edhe kjo Qeveri e status quos, duhet të kujdeset dhe ta ketë prioritet kyç në politikën e jashtme, koordinimin me SHBA-të, sidomos për çështjet jetike të së ardhmes së vendit.”, ka shkruar Veseli.

Qeveria e Kosovës sot hoqi reciprocitetin me Serbinë. Kësisoj i hapet rruga rifillimit të bisedimeve./21Media