Kryetarit të PDK-së Kadri Veselit, i është konfirmuar aktakuza nga Prokuroria Speciale. Ai do të niset sot për në Hagë. Këtë e ka bërë të ditur partia përmes një komunikate për media, të enjten.

Kadri Veseli ka theskuar se këtë e sheh si mundësi që t’i përgjigjet dyshimeve dhe thashtethemeve të cilat kanë qarkulluar për vite të tëra andaj ai thotë që kishte votuar për krijimin e kësaj gjykate..

“Që kur Dick Marty publikoi raportin e tij të pabazuar, ishte e pashmangshme që kjo ditë do të vinte. Ishte e pashmangshme që akuzat e tij të padrejta do të duhej të testoheshin në një gjykatë, në mënyrë që tu jepej fund njëherë e mirë. Kjo është arsyeja që unë e kam përkrhaur themelimin e këtij tribunali, dhe kjo është arsyeja që unë tani jam i gatshëm që të luaj rolin tim në këtë proces”, ka thënë ai.

I pari i PDK-së tutje ka shtuar se ka besim të plotë në objekitivitetin dhe paanshmërinë e gjykatësve dhe ka kërkuar nga të gjithë në Kosovë që të tregojnë gjithmonë respektin e duhur për autoritetet e drejtësisë.

“Ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta. Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta. Nuk duhet ndërmarrë asnjë përpjekje për të minuar punën e tribunalit, e as për të penguar dhe ndërhyrë në ndonjë mënyrë në këtë proces. Gjykata duhet të lejohet të kryej detyrën e rëndësishme që ne i kemi besuar. Integriteti i këtij procesi duhet të respektohet në çdo kohë dhe nga çdo kush. Drejtësia nuk i shërben interesit të njërës anë apo tjetrës, por i shërben interesit të popullit. Prandaj nëse ju kërkohet që të ndihmoni Dhomat e Specilizuara, ju lutem pranojeni pa hezitim. Në këtë mënyrë, ne të gjithë do ia dalim të arrijmë tek e vërteta. Prandaj, do të kërkoja nga të gjitha segmentet e shoqërisë tonë që të përballen me këtë situatë me qetësi dhe dinjitet, të bindur se gjyqtarët do të japin një verdikt të drejt në fund të procesit”, ka thënë ai.

Veseli ka vlerësuar faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për tu paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme, duke treguar se sot në mëngjes do të niset për në Hagë.

“Unë i jam përgjigjur këtij akti mirësjelljeje, duke u pajtuar që të udhëtoj këtë mëngjesë për në Hagë me përfaqësues të tribunalit, ku formalisht do të paraqitem para trupit gjykues për t’iu përgjigjur akuzave të bëra dhe për të nisur një proces të gjatë të mbrojtjes. Kjo gjë do të kërkojë angazhimin dhe përqëndrimin tim të plotë, dhe prandaj kam vendosur që të tërhiqem nga të gjtitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces. Nuk do të bëj deklarata të tjera publike apo paraqitje zyrtare në Kosovë ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon. Të paktën për momentin, jam një qytetar privat. Deri në fund të këtij procesi, do të kërkoja që ky qëndrim i imi të respektohet nga të gjithë në Kosovë, veçanërisht nga ata të cilët janë të angzhuar në media apo në jetën publike dhe politike”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së në fund ka theksuar se edhe nëse ka pasur gabime, personat e përfshirë duhet të japin llogari për veprimet e tyre.

“Ky është kuptimi i sundimit të ligjit për një shtet të ri si i yni. Unë jam i bindur se pasi gjykatësi do të dëgjojnë të gjitha faktet, kanë për të konkluduar përtej cdo dyshimi të arsyeshëm, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje e popullit, një kryengritje për vetëmbrojtje me burra dhe gra trima, të cilët bën maksimumin e tyre në rrethana të jashtëzakonshme. Pa struktura formale për të mbrojtur popullësinë civile kundrejt një një masakre ushtarake gjenocidiale të planifikuar me kujdes prej forcave serbe. Sot, në nderim dhe përkujtim të më shumë se 10 mijë viktimave të pafajshme të regjimit të Millosheviqit, ne duhet të ngrihemi në këmbë dhe të tregojmë historinë tonë. Unë do ngrihem në këmbë të tregoj historinë time. Në duhet të ngrihemi për të treguar historinë e tyre. Ne duhet ti qartësojmë të gjitha faktet, në mëyrë që historia ta njeh të vërtetën”, ka përfunduar ai./21Media