Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka thënë se një grusht politikanësh të papërgjeshëm keqpërdorën për vite me radhë për interesa ditore politike me reciprocitetin, taksën e demarkacionin, duke ndryshuar qëndrimet e parimet varësisht kur ishin në pushtet apo opozitë.

Veseli u shpreh se ata asnjëherë nuk menduan për interesat e qytetarëve dhe të vendit, dhe kurrë nuk u sollën me pjekuri karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve mike evropiane.

“Kauzat elektorale që mashtrojnë qytetarët dhe i zhgënjejnë çdo ditë, mbetet busulla e vetme e veprimit të tyre politik. Sot, Qeveria e status quos dhe vazhdimit të mashtrimit, largoi vendimin mashtrues për reciprocitetin, dhe mirë ka bërë. Por, është vijim i një kurthe të ngritur nga Albin Kurti para ikjes nga pushteti, si shantazh politik dhe hakmarrje për t’i vendosur një tjetër pengesë Kosovës. Por, ku po mbetet pjekuria dhe serioziteti ndaj partnerëve të shtetit të Kosovës, SHBA dhe BE, si dhe interesi i qytetarëve, me të cilin abuzohet turpshëm dhe për qëllime të pastra elektorale”, ka shkruar Veseli në “Facebook”.

Ai tha se lufta për pushtet ka vërbuar të dyja këto qeveri që dolën pas zgjedhjeve të 6 tetorit, duke keqpërdorur kauzat qytetare dhe dëmtuar interesat afatgjate nacionale të Kosovës.

Në fund Veseli theksoi se PDK-ja është partia e vetme që do ta përmbyllë misionin e nisur të shtetndërtimit, rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe anëtarësimin në BE dhe NATO.

Qeveria Hoti sot ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020 të qeverisë së kaluar Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë./21Media