Veseli: "E premtja do të jetë një ditë e bashkimit të spektrit politik në Kosovë!"

Veseli: “E premtja do të jetë një ditë e bashkimit të spektrit politik në Kosovë!”

Ditën e premte pritet të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës që të miratohet një pako e emergjencës fiskale prej 320 milionë euro, pako e cila do të jetë për sektorin privat dhe personelin shëndetësor.

Kështu ka bërë të ditur sot kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili gjatë vizitës që i ka bërë Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, tha se kjo pako ka për qëllim t’i ndihmojë punëtorët shëndetësor dhe punëtorët në sektorin privat. Po ashtu, ai tha se kjo pako do t’iu dal në ndihmë komunave për t’u fuqizuar në ballafaqimin me këtë pandemi.

Veseli tha se beson që ditën e premte do të jetë një ditë e bashkimit të spektrit politik në Kosovë.

I pyetur se a është kjo vizitë e tij si një lloj fushate, Veseli tha se kjo është për të treguar se nuk janë ndalur as në luftë e as tash nuk do të ndalen.

Kreu i PDK-së ka thënë se institucionet e vendit duhet t’iu dalin në ndihmë komunave, derisa ka përmendur se si Komuna e Malishevës sipas tij është lënë anash. Po ashtu, ai ka bërë thirrje që të bëhen më shumë testime për COVID-19.

Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, tha se deri tani komuna që e drejton nuk ka asnjë qytetar të konfirmuar me COVID-19.

Sipas tij, masat që kanë ndërmarrë si komunë kanë bërë që të parandalohet shpërndarja e kësaj pandemie, për çka tha se janë nxituar që të marrin vendime në të mirë të qytetarëve.

Ai tha se vizita e të parit të PDK është një mbështetje për komunën që e drejton dhe për gjithë personelin shëndetësor.

Ndërkaq, drejtoresha e QKMF-së në Ferizaj, Nadire Imeri, tha se i gjithë stafi në këtë qendër është i mobilizuar për t’iu dal në ndihmë qytetarëve, derisa është shprehur e bindur se nëse do të ketë bashkëpunim të qytetarëve për të respektuar masat do të kalohet më lehtë kjo pandemi.

Ajo tha se deri më tani qëndrojnë mirë sa i përket furnizimit me mjete mbrojtëse për personelin shëndetësor.

Ajo tregoj se në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare është bërë një riorganizim i stafit dhe orarit, në mënyrë që të ruhet një pjesë e stafit mjekësor.

Kreu i PDK-së gjatë vizitës së tij në Ferizaj, ka vizituar edhe një barnatore dhe një furrë të bukës, derisa ka zhvilluar edhe një takim me drejtues tà « bizneseve të Komunës së Ferizajt.