Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pritet sot të intervistohet si i ftuar nga Prokuroria Speciale në Hagë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli përmes një postimi në Facebook ka thënë se beteja e tij dhe e presidentit Hashim Thaçi në Hagë do të jetë betejë triumfuese e Kosovës.

“Triumfuese do të jetë edhe kjo betejë e Kosovës, në të cilën sërish do të jemi bashkë me vëllain tim nga lufta, Hashim Thaçi. Sepse, e drejtë, e pastër dhe triumfuese ishte edhe lufta jonë çlirimtare. Prandaj, po, dielli do të lindë përsëri”, ka shkruar Veseli.

Me 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Thaçi e Veseli kanë hedhur poshtë akuzat duke thënë se ligjin e vetëm që ata e kanë shkelur ka qenë ai i kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq, i cili është përgjegjës për vrasjen dhe zhdukjen e mijëra shqiptarëve të pafajshëm gjatë kohës së luftës në Kosovë. /21Media