Sipas Veselit, qytetarët duhet të respektojnë vendimet e qarta të qeverisë së Kosovës

Sipas Veselit, qytetarët duhet të respektojnë vendimet e qarta të qeverisë së Kosovës

Shqiptarët duhet të jenë unikë dhe bashkë, të respektojnë vendimet e institucioneve të Republikës së Kosovës, ndërsa qeveria nuk duhet të krijojë konfuzion dhe pasiguri tek qytetarët, në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë sa më mirë.

Ky ishte mesazhi i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, gjatë vizitës së tij të sotme që i bëri fshatrave të thella të banuara me shqiptarë, Cerajë, Bistricë e Koshtovë të komunës së Leposaviqit, si dhe fshatit Boletin të Zveqanit.

Sipas tij, banorët e asaj ane, të cilët përveç pandemisë, po ballafaqohen në këtë kohë edhe me sfidat e ndryshme të jetës, duhet të përkrahen më shumë.

Duke potencuar se mund dhe duhet të bëhet më shumë për këta njerëz, Veseli është  shprehur po ashtu se duhet të evitohet çdo pasiguri tek ta, për shkak të ambientit dhe rrethanave ku jetojnë.

Ai ka përsëritur se qeveria është dashur të jetë më e qartë rreth masave kundër pandemisë, dhe jo të krijojë vendime të dyanshme. Veseli ka sqaruar se qytetarët nuk duhet të kenë dilemë, ata duhet të respektojnë vendimet e qarta të qeverisë së Republikës së Kosovës.

Shaqir Hetemi, përfaqësues i banorëve të tre fshatrave shqiptare të Leposaviqit, vizitën e Veselit e ka quajtur mbështetje të madhe morale për ta.

Ai ka përmendur si shqetësim përveç tjerash, edhe lëvizjen e lirë të banorëve për nevoja urgjente, për të cilën ka thënë se policia po i pengon gjatë qarkullimit të tyre për në Mitrovicë.

Shefit Behrami, banor i fshatit Bistricë, duke lavdëruar Veselin që sa herë kanë pasur vështirësi, ju është gjendur afër ka thënë se nuk do ta lëshojë vendlindjen kurrë, pavarësisht vështirësive..

Në anën tjetër, Tafil Peci, banor i fshatit Boletin, është ankuar për mungesë të barërave dhe një autoambulance.