Vetë është deputete që disa muaj në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa nëna e saj është pa shtetësi edhe përkundër faktit që jeton prej 50 vjetësh në Maqedoni.

E hallin se si jetohet pa shtetësi e di më së miri deputetja nga Kumanova. Thotë se nëna e saj 71 vjeçare ka aplikuar shumë herë për të marrë nënshtetësi, por një gjë e tillë nuk iu është mundësuar.

Për zgjidhje të kësaj problematike opozita shqiptare ka propozuar ndryshime ligjore.

“Nëna imë u ballafaqua me probleme gjatë gjithë jetës së saj. Normalisht se ka pasur problem me sigurim shëndetësor, pensioni as nuk vjen parasysh. Po ku është edhe e drejta e votës. Për atë arsye kjo kërkesë nuk është diçka personale e familjare kjo është një kauzë e jona politike dhe kombëtare për zgjidhjen e këtij problemi”, tha Saije Sadiku – deputete e ASH-së.

Kryetari i ASH-së Zijadin Sela, këmbëngul se ligji i tanishëm është diskriminues ndaj shqiptarëve dhe se duhet të mbështetet nga çdo deputet.

“Të gjithë këto shqiptarë, qytetarë të cilëve u është marrë kjo e drejtë, natyrisht që duhet tu jepet drejtë. Çdo subjekt politik dhe çdo politikan që të paktën një gjë e vogël njerëzore nëse u ka ngel, duhet ta mendojnë që një njeri pa shtetësi është një qytetar pa mbrojtje shëndetësore në këtë kohë pandemie dhe krize, janë dramë për familje””, u shpreh Sela.

Kështu nuk mendon kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, i cili thotë se propozimi është një “trik” i Alternativës.

“Këto janë trika të Alternativës”, potencoi Thaçi.

Shefi i grupit parlamentar i BDI-së, Izet Mexhiti, tha se njëherë duhet parë se çfarë ka në këtë propozim-ligj.

“Ta shohim përmbajtjen njëherë”, deklaroi Mexhiti.

Partia “E majta” kundërshton dhe thotë se do ta bllokojë propozim ndryshimin e ligjit për shtetësi të propozuar nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa i cili dje u fut në rendë dite. Sipas deputetit Boris Kërmov ligji është propozuar vetëm për tu dhënë qytetarëve në mënyrë paushall shtetësi e pastaj të keqpërdoren në procese zgjedhore si trup votues.

“Ky problem nuk zgjidhet në këtë mënyrë duke ulur standardet në atë masë që ato absolutisht nuk i referohen ndonjë rregullore ndërkombëtare. Këtu iu duhen vetëm 3 deklarata nga njerëz ku ata do të deklarojnë se keni jetuar. Kjo bëhet vetëm për të blerë vota dhe ky ligj nuk duhet të kalojë, nëse është e nevojshme, ne jemi të gatshëm ta bllokojmë atë”, tha Kërmov./TV21