I dyshuari në skandalin e zhdukjes së 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, K.Sh, sot është dorëzuar në Policinë e Kosovës.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Baki Kelani.

Pronari i kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit, ishte në arrati.

“Sot në Polici të Kosovës është vetedorëzuar një mashkull kosovar i cili tani është në proces të intervistimit. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin dhe personin në fjalë, do ti ndërmerr në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetentë”, ka thënë Kelani për portalin rtv21.tv.

Një punëtor i Thesarit të Kosovës, me inicialet L.G, dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës. Për të arrestuarin, zyrtarin e Thesarit, L.G, Gjykata Themelore e Prishtinës të enjten ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh./21Media