Vetëm sot u shtynë rreth 150 seanca gjyqësore në Prishtinë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës vetëm sot janë shtyer 150 seanca gjyqësore, si pasojë e vendimit të Qeverisë Kurti për uljen e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët.
Këto seanca janë shtyer vetëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke mos i përfshirë edhe katër degët e saj në Graçanicë, Podujevë, Lipjan dhe Drenas.
Lajmin për portalin rtv21.tv e konfirmuar zëdhënësja në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë, numri i seancave të cilat janë shtyrë pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me numër KGJK.nr.445/22 të datës 24 nëntor 2022, është rreth 150 seanca. Në këtë shifër nuk janë të përfshirë degët e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, tha Gashi për rtv21.tv.
Gjykatat po ofrojnë vetëm shërbime esenciale, bazuar në vendimin e sotëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që do të zbatohet deri më 8 dhjetor.
Kjo erdhi pasi që Qeveria vendosi për shfuqizimin e vendimit të vitit 2017 të Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët./21Media

Back to top button