Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kërkuar nga Kuvendi që të ndryshojë Ligjin për Gjykatën Speciale, në mënyrë që kjo gjykatë të mos ndjekë vetëm ish-pjesëtarët e UÇK-së, por edhe të komuniteteve tjera që dyshohen për krime në Kosovë. Kjo u bë e ditur nga zyrtarët e kësaj organizate në një konferencë për media pas takimit që kanë zhvilluar me Këshillit Drejtues.

Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati Gjykatën Speciale e ka quajtur raciste dhe të njëanshme, e cila sipas tij u formua nga raporti i Dick Martit.

“Gjykata Speciale është formuar në raportin e Dick Martit para disa viteve kur ky raport është një shpifje e madhe e tij prej disa deputetëve serb dhe rus të asaj kohe dhe nuk qëndrojnë fare ato argumentet e tij. Dhe Gjykata Speciale që është formuar këtu në Kosovë nga deputetët tanë e kemi qenë kundërshtarët më të mëdha Organizata e Veteranëve të Luftës…Kjo gjykatë speciale e them me plotë kuptimin e fjalës se është Gjykatë raciste, një gjykatë e njëanshme një gjykatë e cila i ndjek vetëm pjesëtarët e UÇK-së dhe nuk i ndjek edhe tjera kombe që jetojnë në Kosovë“, theksoi ai.

Në aktakuzën e propozuar nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar janë të përfshirë edhe persona të tjerë përveç presidentit, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur.

“Ne e dimë që në aktakuzë janë edhe 9 persona tjerë ne emrat nuk i dimë defakto, por edhe me i ditë emrat nuk i bëjmë publik sepse ruhet privatësia e tyre , kështu ne me emra nuk i dimë në total”, tha ai.

Kurse, nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj tha se në mbledhjen e Këshillit Drejtues edhe njëherë në mënyrë unanime shpalosën qëndrimin e tyre kundër kësaj gjykate. Sipas tij, momenti kur u bë publik kjo aktakuzë ndaj kreut të shtetit dhe kreut të PDK-së është politike. Krejt kjo sipas Haradinaj po bëhet të dëmtohet procesi i dialogut Kosovë-Serbi.

OVL-UÇK ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovë që të ndryshoj ligjin për Gjykatën Speciale dhe në këtë ligj të përfshihet gjykimi i të gjitha krimeve në Kosovë.

“Në mënyrë unanime edhe njëherë u tha se jemi kundër Gjykatës Speciale ishin, jemi dhe do vazhdojmë të jemi kundër kësaj gjykate. U konstatua se bërja publike e ngritjes së aktakuzës së pakonfirmuar dhe momenti me të cilin u bë tregon qartë atë që është thënë vazhdimisht nga ne dhe të tjerët se kjo gjykatë sidomos prokuroria në Hagë është e ndikuar politikisht gjë që e bënë të kundërligjshëm gjithë procesin. Ngritja e kësaj aktakuze është bërë me qëllim të caktuar e sidomos për të penguar procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Të kërkohet nga Kuvendi i Kosovë që të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale për arsye që të gjykohen të gjitha krimet e kryera në Kosovë“, tha ai.

Në OVL-UÇK thonë se do i përdorin të gjitha mjetet demokratike përfshirë edhe protestat nëse është e nevojshme për të kundërshtuar Gjykatën Speciale.

Gjatë ditës së djeshme Zyra e Prokurorit Special ka propozuar aktakuzë për presidentit e Kosovës, Hashim Thaçi, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe disa personave të tjerë./kp