Për Lëvizjen Vetëvendosje, lufta e UÇK-së mbetet gjithnjë forcë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare.

Në reagimin e tyre, pas ngritjes së aktakuzave ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, Vetëvendosje ka thënë se “si shqiptarë, natyrisht, shpresojmë që ata të kthehen të pafajshëm”.

Fatkeqësisht Kosova sot nuk është në gjendje ta mbrojë UÇK-në me institucionet e saj, për shkak se keqqeverisja në dekadat e pasluftës ka rezultuar në institucione të brishta të drejtësisë, të cilat nuk kanë fituar besimin e qytetarëve, e njëkohësisht i ka përkeqësuar marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë“, thuhet në reagimin e tyre.

Vetëvendosje ka vlerësuar gjestin e dorëheqjes prej presidencës të Hashim Thaçit si të duhur, por të vonuar.

Do të ishte mirë të vepronte qysh kur erdhi lajmi për akuzat, e jo të linte vend për të menduar se në prapaskenë po negocion për të shpëtuar veten prej atyre akuzave. Dhjetë vitet e fundit janë dëshmi se si kushdo që ka pretenduar ta mbrojë UÇK-në përmes pazareve të fshehta, ka dështuar, dhe vetëm sa e ka rritur dëmin. Vetë Gjykata Speciale është padrejtësi e prodhuar prej tyre, përderisa ne si Lëvizje, bashkë me shumë veteranë e qytetarë, protestuam kundër saj“, thuhet tutje në reagimin e Vetëvendosjes.

Ata tutje kanë theksuar se Kosovës i duhen zgjedhje të reja e të lira, prej të cilave, sipas tyre do të dalë një qeveri e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve, qeveri që ia kthen besueshmërinë vendore e ndërkombëtare Kosovës.

Presidenti i ri nuk mund të dalë prej pazareve në Kuvendin e vjetër e të deformuar, por do të dalë me integritet e besueshmëri, nga Kuvendi i ri, pas zgjedhjeve të reja. E deri atëherë, në një tranzicion të shkurtër e transparent drejt zgjedhjeve të reja, znj. Vjosa Osmani si ud. e presidentes, do të kontribuojë për mirë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Vetëm një qeveri e pakorruptuar, e zgjedhur demokratikisht e jo produkt i pazareve, do të mund ta përparojë Kosovën e ta mbrojë UÇK-në dhe ta vlerësojë ashtu siç e meriton. Të gjithë duhet të bëhemi bashkë në respektim të ligjit, vullnetit të qytetarëve e demokracisë, e jo për t’iu mbivendosur asaj“, përfundon reagimi i Vetëvendosjes./21Media