Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për siç ka shkruar në Facebook “antikushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit” të deputetit Etem Arifi në seancën për votimin e qeverisë Hoti.

“Më 3 qershor në seancën e Kuvendit të Republikës në të cilën u votua Qeveria ilegale dhe kundër vullnetit të votuesve, mori pjesë edhe deputeti i dënuar me aktgjykim të formës së prerë për vepër penale me një vit e tre muaj burg. Pjesëmarrja e z. Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj Qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë. Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg. Qeveria Koti është e diskredituar në të gjitha drejtimet. Pa bazë kushtetuese dhe pa vullnetin e votuesve, e varur plotësisht nga Lista Serbe dhe madje me vota të deputetëve përkundër vullnetit të tyre, ajo është e pavlefshme edhe ligjërisht prej votimit të z. Etem Arifi si i dënuar me vendim përfundimtar gjyqësor për vepër penale. Përveç Qeverisë që nuk gjen mbështetje as në Kushtetutë dhe as në rezultatin e zgjedhjeve, por është imponim nga Presidenti e për vetë atë dhe planet e tij, ka humbur integritetin dhe besueshmërinë çdo mekanizëm kushtetues për mbrojtjen e ligjshmërisë e të kushtetutshmërisë së veprimeve e vendimeve institucionale”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Tutje në njoftim thuhet se “me provat që dëshmojnë qartazi se Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit, sot, disa deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi, i cili e bën të pavlefshëm dhe jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës”.

VV ka theksuar se “kjo kërkesë është rasti i radhës që ose do të shpërfaqë edhe më shumë rënien e shtetit të së drejtës në justifikimin e çdo paligjshmërie, ose do të konstatojë atë që e thotë Kushtetuta se një deputet i dënuar me mbi një vit burg humb mandatin dhe se vendimi që merr për bazë votimin e tij është në kundërshtim me Kushtetutën”./21Media

Më 3 qershor në seancën e Kuvendit të Republikës në të cilën u votua Qeveria ilegale dhe kundër vullnetit të votuesve,…

Posted by Lëvizja VETËVENDOSJE! on Thursday, 11 June 2020