Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dorëzoi sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e veprimeve të Presidentit Hashim Thaçi, që sipas tyre e ka nxitur, bindur dhe detyruar deputetin Haxhi Shala për të ndryshuar qëndrimin për votën ndaj Qeverisë.

Jashtë autorizimeve e në cenim të rëndë të vlerave, parimeve kushtetuese e demokratike, të ndarjes së pushteteve e ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit, Presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Ai në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndikuar që deputeti Shala të ndërroi qëndrimin dhe votën në seancën e jashtëzakonshme plenare të Kuvendit të Republikës të datës 3 qershor. Si një Qeveri pa legjitimitet dhe e paligjshme, të vetmen mbështetje e kishte tek aranzhimet jokushtetuese në të gjitha fazat e saj. Tablonë e plotë të veprimeve antikushtetues të kësaj skeme e përmbushi rasti i ndërhyrjes dhe ndikimit mbi deputetin Haxhi Shala, duke i shkuar në shtëpi pasmesnatës. Këtë fakt, e shpalosi edhe publikisht deputeti i shënjestruar, por u konfirmua edhe nga vetë Thaçi e Haradinaj“, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas këtij subjekti,  Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk i lejon Presidentit rol aktiv në skenën politike, sepse kjo çfarë ka bërë Thaçi nuk është vetëm angazhim aktiv politik, por edhe ndërhyrje e rëndë në rendin kushtetues./21Media