Vetëvritet Sokol Halili, i dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë

Është vetëvrarë Sokol Halili, i dyshuari për vrasjen e gruas së tij shtatzënë në oborrin e QKUK-së. Lajmi u konfirmua nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla ka bërë të ditur se i dyshuari është vetëvrarë të premten në prezencë të Policisë së Kosovës, pasi është lokalizuar.

“Pas një pune intenzive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten.
Policia e Kosovës si dhe Inspektoriati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatëzënë dhe vetëvrasjes së dorasit.”, tha Xhelal Sveçla në “Facebook”.

14: 00- Policia rrethon shtëpinë e Sokol Halilit, i bëjnë thirrje të dorëzohet

Policia e Kosovës ka rrethuar shtëpinë e të dyshuarit për vrasjen e ish-bashkëshortes shtatzënë në oborrin e QKUK-së.

Portali rtv21.tv ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes. Siç raporton gazetarja e portalit të rtv21.tv nga vendi i ngjarjes, Polica po thërret emrin e të dyshuarit Sokol Halili që të dorëzohet. Afër shtëpisë së tij është edhe një autoambulancë.

Natën e 30 nëntorit një grua shtatzënë u vra nga ish-bashkëshorti i saj në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK. E ndjera u varros sot. Kjo ngjarje ngjalli reagime të shumta, e protesta./21Media

Shikoni Gjithashtu
Close
Back to top button
close button