Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny. Osmani e ka falënderuar Ahliny për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit suedez për Kosovën, duke veçuar angazhimin e Suedisë në ofrimin e ndihmës përgjatë pandemisë COVID-19.

Temë qendrore e këtij takimi, siç ka njoftuar Kuvendi ka qenë procesi i vetingut në sistemin gjyqësor. Osmani ka potencuar se sundimi i ligjit është parakushti thelbësor për funksionimin e mirëfilltë të shtetit.

Kryeparlamentarja ka potencuar rëndësinë e rishikimit funksional të sistemit gjyqësor, ku do të përfshihej edhe procesi i vetingut. Më tej, ajo ka theksuar se në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, në bashkëpunim me partner vendor e ndërkombëtar, do të përkrahë  çdo nismë lidhur me vetingun në drejtësi.

“Në këtë takim u diskutua edhe për çështje tjera që ndërlidhen me funksionimin e Kuvendit të Kosovës si dhe aktualitetin politik në vend.”, është theksuar më tutje në komunikatë./21Media