Poezi nga Anna Akhmatova
Përktheu: Petraq Kolevica

Kaq shumë gurë hodhën përmbi mua
sa sot asnjë prej tyre s’më frigon
me ta një kullë e hijshme u ndërtua
m’e lartër se çdo kullë ajo qëndron.
Ndërtuesit e saj falënderoj
paçka se e ndërtuan me nxitim.
Prej saj më shpejt agimin e shijoj
dhe diellin shikoj më gjatë në perëndim.
Dhe në dritaren time dit për dit
fryn erë deti më flladit.
Në dorën tim vjen pëllumbi ha
pa në mos mund të shkruaj më diçka
një ditë, e perëndishme, krahëlehtë,
do vijë muza për ta shkruar vetë.