Gjatë ditës së sotme, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, bashkë me ministren në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi dhe shumë ish – futbollistë e tifozë futbolli, sot e kanë vënë gurthemelin për stadiumin e ri të qytetit të Gjakovës.

Gjatë kësaj ceremonie i pari i Gjakovës, është shprehur se kjo është një ditë e rëndësishme për qytetin që ai udhëheq, pasi kërkesa për një objekt të tillë sportive është shumë e hershme dhe rruga për të arritur deri tek kjo ditë ka qenë shumë e vështirë.

“Dy vite luftë kemi bërë për të nisur. Herë dilnin fondet herë u hekshin fondet. E kryejmë projektin pak më ambicioz se të tjerët që kanë pritur, por ky projekt duhet me mbijetu shumë gjatë, shumë gjatë ndoshta që klubet duhet me i bë 200 vjet për shkak se i tillë është projekti. Me ministren Dumoshi nuk kemi pas nevojë me luftu fare, menjëherë e kemi operacionalizu, por janë pak fondet e cunguara pa fajin e ministres dhe të kolegëve të saj, por e dimë që do ti kemi fondet me vazhdu sivjet me dy pjesë dhe vitin tjetër me dy pjesë, me kry konstruktin dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur me pas plotësisht funksional stadiumin”, deklaroi Gjini.

Ai ka shtuar se stadiumi i qytetit do të jetë një vepër e rëndësishme, e cila përveç që do të ofrojë një strehë të mirë për futbollistët dhe adhuruesit e futbollit, në të njëjtën kohë do të jetë edhe një vepër e bukur arkitektonike me të cilën do të mburret Gjakova.

Nga ana tjetër, ministrja Dumoshi, ka thënë se Gjakova si qytet por edhe njerëzit e saj si sportdashës të pasionuar e meritojnë një objekt të tillë, prandaj edhe është shprehur tejet e lumtur që një gjë e tillë po mundësohet më në fund.

“Ne e dimë që ky klub i ka nëntë dekada. 9 dekada janë 93 vjet, kështu që futbolli është trashëgimi të cilin ju po e lini edhe shumë tjerë e kanë lënë, por sot kemi futbollistë të jashtëzakonshëm që kanë dalë nga kjo skuadër nga Gjakova…Me ndërtimin e këtij stadiumi ne i falënderojmë të gjithë gjeneratat emër për emër që kanë dhënë kontribut për futbollin, për zhvillimin e sportit në përgjithësi. Ne si MKRS do të investojmë, e kemi lidhur kontratën e cila është në vlerë prej 1.100.000 edhe vitin e ardhshëm do të vazhdojmë për financim që të jetësohet ky projekt sepse është i domosdoshëm për komunën e Gjakovës”, u shpreh ajo.

Paraprakisht, i pari i Gjakovës Gjini dhe ministrja Dumoshi kanë zhvilluar edhe një takim të përbashkët, në të cilin është nënshkruar marrëveshja për vazhdimin dhe përfundimin e projektit të fushave të tenisit, një tjetër projekt madhor për komunën e Gjakovës.

Ky projekt sipas Gjinit pritet të përfundojë gjatë këtij viti, ndërsa do të financohet nga MKRS dhe komuna do të përkujdeset që punët të përfundojnë sa më shpejt.