Vita i shqetësuar, Kosova s’është në listën e udhëtimeve “Free COVID” të BE-së

 
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia sot gjatë takimit me udhëheqësin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog shprehu shqetësimin se Kosova nuk është në listën e udhëtimeve “Free COVID” të BE-së, pavarësisht situatës shumë të mirë epidemiologjike.
Sipas një komunikate për media nga Ministria e Shëndetësisë trajtimi do duhej të jetë i barabartë për të gjitha shtetet e rajonit sidomos kur janë indikatorë të matshëm dhe të cilat Republika e Kosovës i ka përmbushur.
Në këtë takim Vitia e njoftoi Szunyog për situatën epidemiologjike në vendin tonë, procesin e vaksinimit masiv, dhe e informoi rreth përgatitjeve sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit.
“Me theks të vecantë Ministri Vitia përmendi indikatorët kryesor të gjendjes epidemiologjike si tregues kryesor të cilët janë: Rënia e dukshme e rasteve të vdekjes dhe e hospitalizimeve, numrin e ulët të rasteve, shkallën e ulët të pozitivitetit nën 1% dhe indikatorë të tjerë që e tregojnë situatën epidemiologjike si shumë të mirë dhe stabile për momentin”, thuhet në komunikatën e MSh-së.
Në anën tjetër, Szunyog u shpreh i lumtur për përmirësimin e situatës epidemiologjike dhe së bashku me Ministrin Vitia u dakorduan për të vazhduar tutje bashkëpunimin mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës në përmirësimin dhe përforcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.
Këshilli i Bashkimit Evropian e azhurnoi listën e vendeve, për të cilat duhet të hiqen kufizimet e udhëtimit, dhe shtoi në të edhe Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendimi hyn në fuqi sot, kur “në bazë të kritereve dhe kushteve të përcaktuara në rekomandim, shtetet anëtare duhet t’i heqin gradualisht kufizimet e udhëtimit nga kufijtë e jashtëm, për banorët e këtyre vendeve”./21Media

Back to top button