Filipçe: Të mos dilet pas orës 18 pa nevojë!

Filipçe: Të mos dilet pas orës 18 pa nevojë!

Vitin e Ri dhe festat e tjera të fundvitit qytetarët do t’i kalojnë pa ahengje dhe grumbullime nëpër sheshe siç është traditë. Përveç kësaj nga ora 18:00 qytetarët as nuk duhet të dalin nga shtëpitë pa nevojë. Këto propozime Komisioni për sëmundje infektive në Maqedoninë e Veriut ia ka dorëzuar Qeverisë, e të njëjtat do të ishin në funksion për puthuajse një muaj, edhe atë nga 18 dhjetori deri më 21 janar.

 “Bëjmë thirrje dhe rekomandojmë të mos ketë tubime nëpër shtëpi gjatë festave dhe të mos dilet nga shtëpia pas orës 18 nëse nuk ka nevojë për atë. Ndalohet grupimi në sheshe për natën e Vitit të Ri dhe festimi, si dhe çdo lloj tubimi gjatë festave të fundvitit”, deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

Ndalimi i tubimeve në vendet publike mbetet në fuqi dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale apelohen të intensifikojnë mbikëqyrjen për respektimin dhe zbatimin e kësaj mase, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

 “Lidhur me festat fetare, ndalimi i tubimeve në hapësira publike i më shumë se katër personave është në fuqi, ndërsa në objekte të mbyllura rekomandimi është që numri maksimal i njerëzve të mos jetë më shumë se 30% i kapacitetit të sipërfaqes dhe të gjithë personat të jenë me maska”, potencoi Ministri i Shëndetësisë.

KSI po ashtu propozon që të ndalohet çfarë do lloj festimi në kuadër të organizimeve të punës. Propozimet janë dorëzuar në Qeveri, e cila e ka fjalën e fundit nëse i pranon këto rekomandime me të cilat parashihet të ndalohet përhapja e virusit korona./21Media