“Viti shkollor do të nisë më 1 tetor”, Zaev propozoi Qeverinë e re në Kuvend

 

Viti shkollor me shumë gjasë do të fillojë më 1 tetor në Maqedoninë e Veriut, kështu paralajmëroi mandatari Zoran Zaev derisa prezantoi përbërjen dhe programin e ri të Qeverisë.

Edhe pse pyetje ishte për ministren e ardhshme të Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, ajo refuzoi të japë përgjigje për shkak se për momentin po ushtron postin e zëvendëskryeministres ekonomike.

“Vijojnë ndryshime ligjore. Ministri Arbër Ademi njoftoi për 15 shtatorin që do të thotë se qytetarët e dinë se më 1 shtator nuk fillon viti shkollor. Tendeca e të gjitha protokolleve që i bëmë është që ajo të jetë nga 1 tetori. Ajo varet nga vendimi i Qeverisë ndryshimet ligjore, aty ku duhet dhe përgatitje e kompletuar. Nga platforma për mësim online, deri te protokollet e sigurisë dhe mbrojtja komplet. Kujdesi i fëmijëve të moshës 10-vjeçare, të gjitha çështjet komplekse do të jetë në seancën e parë të qeverisë”, deklaroi mandatari i Qeverisë, Zoran Zaev.

Prioritet gjatë 100 ditëshit të ardhshëm të Qeverisë së re do të jetë edhe ballafaqimi me krizën ekonomike të shkaktuar nga Covid-19.

“Luftë për çdo vend të punës, luftë për ruajtjen e potencialit dhe kapacitetit të çdo subjekti privat në shtet, për shkak se ata japin paga. Ata paguajnë tatime ndaj shtetit dhe ata e ngritin prodhimin bruto vendor të ekonomisë sonë, mirëmbajtja e pagave, mirëmbajtja e pensioneve me tendencë që sapo të kalojë kriza të vazhdojë edhe rritja e tyre”, u shpreh Zoran Zaev.

Ai premtoi edhe reforma në gjyqësor, me çka si rezultat do të fillojë të funksionojë edhe “Numëratori” në Portën Maqedonia, i cili u premtua që para mandatit të parë si kryeministër.

Në përbërjen e re qeveritare do të jenë ata emra, të cilët i paralajmëruan Zaev dhe Ahmeti.

Ndonëse, brenda BDI-së kishte dallime, megjithatë mbrëmë Ahmeti në Click Plus konfirmoi se nuk ka ndryshime të emrave, të cilët i kishte propozuar.

Fatmir Aliu: Emrat a mbeten të njëjtë të përbërjes suaj që e keni paraqitur në opinion?
Ali Ahmeti: “Mbeten të njëjtat, nuk ndryshojnë”.
Fatmir Aliu: Drejtoritë i keni ndarë?
Ali Ahmeti: “Akoma jo. Të konstituohet Qeveria dhe tani do të bisedohet edhe për emërimet dhe detajet tjera”.

Ndërkaq, Zaev tregoi se janë marrë vesh për 90% e zëvendësministrave.

Rruga për propozimin e përbërjes dhe programit qeveritar u hap, pasi dje një pjesë e ministrave të ri dhanë dorëheqje nga posti i deputetit. Përbërja dhe programi i ri qeveritar në Kuvend pritet të votohet gjatë fundjavës, raporton TV21./21Media

Back to top button