Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ish-ministri Armend Zemaj sot u përplasën me fjalë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po mbahet debat parlamentar mbi situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kritikoi qeverinë e re për keq-menaxhim të pandemisë, për çka tha se janë shpenzuar furnizimet me material shpenzues dhe Klinika Infektive ka mbetur edhe pa dezinfektues për duar.

“Furnizimet me material shpenzues dhe mjete mbrojtëse janë shpenzuar, klinika Infektive theksohet nuk ka dezinfektues për duar, ‘non-sens, konkursi për të fuqizuar stafin e mesëm shëndetësor kundër virusit është ndërprerë, 28 pacientë mbesin nën mbikëqyrjen e një infermieri”, tha Zemaj.

Ai u shpreh se ka ulje të testimeve dhe fshehje të numrit të rasteve pozitive me COVID-19.

“Infektimet janë rritur, rastet me vdekje nga virusi janë rritur, statistikat janë në përqindje të numrit të testimeve, jo ulje të testimeve, fshehje të numrit të rasteve e ngulfatje të zërit të profesionistëve shëndetësor. Ju po punoni të udhëhiqni me logjikën e përjashtimit, ekskluzivitetit, regresit dhe asnjëherë ndërtimit të një fronti të përbashkët për ta mundur virusin COVID-19, atë që bëmë gjatë një viti me mund dhe sakrificë”, tha Zemaj.

I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili deklaratat e Zemajt i quajti shpifje.

“Konstatimi se është bërë presion kolegëve ose dikujt tjetër për të ulur testet, për besë është ogurzi, nuk po mund të besoj se dikush që ka qenë në Ministrinë e Shëndetësisë të vijë në një konstatim të tillë të pabazuar dhe komplet është shpifje. Zemaj, ju kuptoj në petkun e opozitarit dhe ato çka i thatë besoni se i marrë si të mirëqena, dhe nga ky petk çdo kritikë tuajën do ta marrë me seriozitet, çdo ofendim tuajin do ta marrë me shumë sportivitet, por nuk mund të ju kuptoj në petkun e ministrit në kohën kur keni qenë si ministër, sepse është e pafalshme dhe kalon dimensionet edhe personale dhe morale Zemaj”, tha Vitia.

Ministri i Shëndetësisë e kritikoi Zemajn për përgjysmimin e buxhetit në komuna, në kohën sa ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe përmendi deklarimet për ndërtimin e spitalit të Podujevës dhe Spitalin Covid, për çka Vitia tha se janë shkaktuar dëme në buxhetin e shtetit.

“Për t’i vënë pikë gjithë kësaj pune, në një kohë kur kemi nevojë për barna, po çka ju dashtë një Qendër e Mjekësisë Familjarë në Strellc, në vendlindjen e juaj Zemaj, a do të thotë që ta ndërtoj edhe unë një në Marec tani, të shkojmë me këtë logjikë Zemaj, besomë mund të keni qenë 10 muaj si ministër, mirëpo e keni bërë si të ishin 10 vjet sa i përket dëmit që i keni shkaktuar sistemit shëndetësor”, shtoi Vitia.