Ministri kërkoi që të zbatohen rregullat

Ministri kërkoi që të zbatohen rregullat

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot bëri të ditur se bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës kërkoi nga Kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë masat shtesë në kuadër të gjendjes emergjente me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik.

Siç shkroi ministri në facebook, masat do të diskutohen sot edhe me ministritë e linjave dhe do paraqiten në mbledhjen e Qeverisë.

“Të gjitha këto masa do të shpjegohen saktë për qytetarët pasi të kenë marrë miratimin. Ministria e Shëndetësisë në koordinim të plotë me ministritë e linjës dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), konform Planit të Veprimit dhe në pajtim të plotë me masat emergjente të aprovuara nga Qeveria e Kosovës, pas shtimit të numrit të rasteve të reja të personave që kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID – 19, propozon masa të reja të cilat kanë për qëllim mbrojtjen shëndetit publik, respektivisht kufizimin e qarkullimit të automjeteve dhe qytetarëve në orare të caktuara në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.”, shkroi ministri në facebook.

Ministri Vitia kërkoi nga qytetarët që të zbatohen masat e reja.

“Kujdesi për vetveten dhe familjet tona, solidariteti dhe përgjegjshmëria janë mënyra që do të na e mbrojë shëndetin e secilit. Si asnjëherë më parë kërkohet nga ju të jeni në krye të përgjegjësisë shoqërore duke e mbrojtur vendin.”, shkroi më tutje Vitia.

Numri i të prekurve nga koronavirusi në Kosovë mbrëmë arriti në 31, ndërsa sot u shënua viktima e parë./21Media