Vitia: Jemi përgatitur për të filluar procesin e imunizimit
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka bërë të ditur se së shpejti mbërrin dhe kontigjenti i parë i vaksinave Pfizer nga sasia që ka kontraktuar Republika e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Vitia ka thënë se institucionet janë në momentet përfundimtare të parapërgatitjeve për nisjen e vaksinimit masiv në të gjithë vendin.
“Pas shumë sakrificave, humbjeve e vështirësive të këtij viti që lamë pas, kemi mbërritur tanimë në një stacion të ri nga ku mund të nisim rrugëtimin tonë drejt imunizimit.
I kemi siguruar vaksinat, i kemi bërë përgatitjet. Së shpejti mbërrin dhe kontigjenti i parë i vaksinave Pfizer nga sasia që ka kontraktuar Republika e Kosovës. Kështu shpresoj dhe besoj që do ta kemi një vjeshtë e dimër më të sigurt dhe që më të dashurit tanë do të jenë më të mbrojtur. Ju lutem si çdo herë: ndiqni dhe informohuni në njoftimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë për mënyrën, kohën dhe kriteret e vaksinimit. Ju falënderoj të gjithëve për besimin dhe solidaritetin e treguar prej shkurtit të vitit 2020. Falënderime nga zemra të gjithëve që ndihmuan në sigurimin e vaksinave! Ecim tutje, për më mirë dhe më sigurtë”, ka shkruar Vitia në Facebook./21Media