Arben Vitia është larguar nga posti i ministrit të Shëndetësisë, pas votimit të Qeverisë të re Hoti.

Stafi i Ministrisë së Shëndetësisë ka thënë se gjatë këtyre tre muajve të pandemisë kanë arritur ta mbrojnë Kosovën nga kolapsi i shëndetit publik.

“Deri këtu arritëm së bashku. Me shumicën që ndihmuan dhe punuan. Mësuam e pësuam shumë, por e mbrojtëm Kosovën nga kolapsi i shëndetit publik.
Ne ia dolëm, sepse nuk vendosëm theksin tek ndëshkimi apo zënia në gabim, por tek solidariteti. Dhe, kësaj kërkese me gjithë vështirësitë apo inercitë e zakoneve të dashura të jetës sonë familjare e kolektive iu përgjigjën me mirëkuptim shumica dërmuese e qytetarëve të Republikës. Erdhëm së bashku deri këtu, me besimin e ndërsjellë. Këta tre muaj shënojnë një stad të ri për vendin. Sakrifikuam shumë që të mos gjunjëzoheshim dhe ia dolëm. Në këmbë dhe solidarë”, thuhet në falënderimin e MSh-së. 

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është votuar Qeveria Hoti. Formimi i Qeverisë u votua me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim. Hoti do të qeverisë me kabinetin e tij të përbërë nga 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministri./21Media