Vitia: Një bashkatdhetar në gjendje të rëndë akoma, të tjerët jashtë rrezikut për jetë

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, ka deklaruar se e diela e 25 korrikut, ishte një ditë tragjike për të gjithë qytetarët e Kosovës, në veçanti për familjarët e 10 viktimave të aksidentit në Kroaci.
Në konferencën për media nga Aeroporti i Prishtinës, Vitia u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.
“Në autobus kanë qenë 67 bashkatdhetarë dhe 2 shoferë, janë 10 të vdekur, 43 fillimisht kanë qenë të hospitalizuar dhe 15 nga bashkatdhetarët kanë qenë pa lëndime, të cilët nga dita e parë janë vendosur në ambiente të përshtatshme nga autoritetet lokale dhe qendrore të Kroacisë”, ka thënë Vitia, i cili ka falënderuar krerët e shtetit të Kroacisë dhe personelin shëndetësor për kujdesin ndaj bashkatdhetarëve.
Tutje, Vitia ka njoftuar se 25 bashkatdhetarë janë liruar nga spitali, ndërsa 15 të tjerë vazhdojnë trajtimin në spitalin e Slavonski Brod-it.
“Një nga pacientët është transferuar në Klinikën e Zagrebit, është dyshuar për probleme edhe neurologjike, por fatmirësisht gjendja e saj është stabile. Nevojiten edhe disa ditë derisa të rikuperohet”, ka njoftuar Vitia, shkruan rtv21.tv
Ai ka thënë se 2 bashkatdhetarë, nga 15 që po vazhdojnë trajtimin në Slavonski Brod, po trajtohen në njësinë intensive.
“Njëri është në gjendje të rëndë akoma, kurse tjetri është në gjendje stabile dhe është jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Vitia.
Katër bashkatdhetarë, nga të liruarit, kanë zgjedhur të shkojnë në Gjermani për trajtim të mëtutjeshëm.
“Kjo është bërë në koordinim të plotë nga ambasada jonë në Kroaci dhe Kryqi i Kuq kroat”, ka njoftuar Vitia.
Ministri ka thënë se 6 bashkatdhetarë pritet të lirohen në ditët në vijim, kurse 9 të tjerë do ta vazhdojnë trajtimin në Slavonski Brod.
“Do të shohim nëse dëshirojnë të vijnë në Kosovë dhe të marrin trajtimin e duhur apo të vazhdojnë në Gjermani”, ka thënë Vitia.
Shumica e të lënduarve, sipas Vitisë, kanë lëndime politrauma me fraktura.
Në konferencën për media, përkrah Vitisë ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, i cili ka falënderuar Kroacinë për ndihmën dhe kujdesin ndaj bashkatdhetarëve.
Sveçla, ka njoftuar se 10 trupat e të vdekurve në aksidentin tragjik në Kroaci, kanë nisur të vijnë në Kosovë dhe në mëngjesin e së mërkurës do të mbërrijnë.
Për çështjen e shoferit që është arrestuar në Kroaci, Sveçla ka thënë se janë në kontakt me autoritetet e kroate, për mundësinë e kthimit të tij në Kosovë.
Ndryshe, sonte kanë mbërritur në Kosovë 27 bashkatdhetarë, të cilët i mbijetuan aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ata janë pritur nga presidentja  Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca./21Media

Back to top button