Vizat dhe dialogu me Serbinë

Ndonëse nuk dha një datë se kur do të liberalizohen vizat për kosovarët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha në Prishtinë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se do të bëjnë çmos që ta bindin edhe Këshillin e Evropës që të mbështes këtë proces.  Ndërkohë, presidentja e vendit Vjosa Osmani, kritikoi Bashkimin Evropian për vonesa sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Duke folur për dialogun me Serbinë, presidentja Osmani pohoi se ka një propozim gjermano-francez.
Erdhi në Kosovë për ta betonuar qëndrimin e Komisionit Evropian se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se sistemi për siguri ETIAS nuk ndërlidhet me procesin e vizave, ashtu siç u tha se ishte kushti i radhës i vendosur nga Franca dhe mbështetur nga disa shtete të tjera.
“Kosova i ka plotësuar të gjitha standardet e nevojshme për liberalizimin e vizave, këtë e kemi thënë edhe në vitin 2018 kemi përsëritur edhe para disa jave. Komisioni është plotësisht në anën tuaj. Do të bëjmë çmos që ta bindim tërë Këshillin e Evropës që të votojë në favor. Sistemi ETIAS është i pavarur nga ky proces. Është proces shumë i rëndësishëm për BE-në. Ne do të kërkojmë përmes këtij instrumenti teknik që të gjithë që futen në BE të aplikojnë përmes këtij sistemi që do të jetë i pavarur nga kriteret e vizave. Me këtë do të kemi transparencë në lëvizje. Do të vlejë për të gjitha vendet e BE-së”, tha Ursula von der Leyen.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se edhe pse Kosova është në zemër të Evropës, qytetarët e saj mbesin padrejtësisht pa liberalizim të vizave.
Presidentja Osmani duke folur për dialogun me Serbinë dhe propozimin franko-gjerman, tha se Kosova mbetet e përkushtuar në këtë proces dhe pohoi ekzistimin e  propozimit konkret nga Berlini dhe Parisi, ndonëse nuk dha detaje për përmbajtjen e tij.
Më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se propozimi franko-gjerman  që i është dorëzuar liderëve të Kosovës dhe Serbisë konsiston në atë që Serbia të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, në këmbim të një procesi të shpejtë të anëtarësimit të Beogradit në bllokun evropian. Presidentja e Komisionit Evropian nuk pranoi të flas për propozimin  franko-gjerman, por bëri thirrje për dialog konstruktiv./21Media

 

Back to top button