Vjedhje në depon qendrore të Ministrisë së Shëndetësisë

Mbyllet Depo Qendrore e Barnave

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë vjedhur medikamente, karrige e gjësende tjera në depon qendrore.
“Me datën 07.11.2022, në Depon Qendrore të Barnave është vërejtur mungesa e disa karrigeve që kanë qenë në Depo dhe menjëherë ka filluar verifikimi i produkteve të barnave, ku është vërejtur mungesë e një sasie të Methadonit sirup, sasi prej 90 copë. Menjëherë është njoftuar Polica e Kosovës”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
Sipas Ministrisë gjatë verifikimit, në prezencë të Policisë së Kosovës, është vërejtur mungesë e sasisë edhe nga produkti Tramadol ampula dhe Morfin ampula. Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është kontrolluar hapësira e Depos Qendrore të Barnave dhe në fund të Depos është vërejtur se është bërë thyerje e murit të Depos nga podrumet e Pallatit të “Rilindjes” , ku sigurimi fizik i depos nuk ka qasje.
Bazuar në Sistemin e Menaxhimit te Stokut Farmaceutik (SMSF), Inspektorati Farmaceutik ka konstatuar se mungojnë sasi të produkteve si në vijim: Methadon sol 100ml, 90 shishe, Tramadol 50 mg, 541 ampula dhe Morphine 10mg/ml, 280 ampula, ku vlera totale e produkteve që mungojnë është 1105.92€.
Pas përfundimit të procedurave nga Policia e Kosovës, nga MPB është kërkuar që të bëhet mbyllja e hapësirës ku është kryer vjedhja brenda depos dhe në orën 18:00 është bërë mbyllja e përkohshme e Depos Qendrore të Barnave. Lidhur me rastin e depos janë duke vazhduar hetimet nga organet kompetente, ndërsa Ministria e Shëndetësisë është duke marrë masa për fuqizimin e sigurisë fizike të depos së barnave./21Media

Back to top button