Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe tashmë ish- nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani përmes një letre iu është drejtuar partisë së saj duke kërkuar evidencën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Letra e Vjosa Osmanit, të cilën e ka siguruar kallxo.com është dërguar në adresë të kryesisë së LDK-së me datë 25 qershor.

“Duke qenë subjekt i procesit të votimit në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, përmes kësaj shkrese, kërkoj të ma dërgoni gjithë dokumentacionin e lëndës së shkarkimit tim, përfshirë rezultatet e votimit dhe evidencën e votimit të të gjithë anëtarëve të KP të LDK-së”, thuhet në letrën e Osmani drejtuar kryesisë së LDK-së.

Më 20 qershor të këtij viti, me propozim të kryetarit të LDK-së, Vjosa Osmani ishte shkarkuar nga pozita e nënkryetares së partisë nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.

Vjosa Osmani, në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Kosovë kishte qenë kandidate e LDK-së për kryeministre.Ndërsa, Osmani kishte qenë një nga 3 deputetët e LDK-së që nuk e kishte votuar qeverinë Hoti më 3 qershor të këtij vit.