Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka rezultuar pozitive në testin për Covid-19.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Osmani përmes një postimi në Facebook.

“Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se do të vazhdoj punën nga shtëpia.

“Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike”, ka thënë Osmani.

Osmani tutje në shkrimin e saj ka apeluar që rreziku nga virusi të mos injorohet.

“Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar”, ka shkruar Osmani.

16 persona kanë humbur betejën me COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë, ndërsa janë regjistruar edhe 690 raste të reja./21Media