Pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi, detyrën si president do ta marrë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e definon mungesën e përkohshme të presidentit, ajo parasheh se në raste të tilla se kur presideti nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij, ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij, kryetarit të Kuvendit.

Neni 90 i Kushtetutës parasheh se Kryetarja e Kuvendit mund ta ushtrojë këtë pozitë më së shumti 6 muaj.

Neni 90 [Mungesa e Përkohshme e Presidentit]

1. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Presidenti i Republikës së Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit.

2. Në rast se nuk ka ndodhur kalimi vullnetar i përgjegjësive, Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me konsiliumin mjekësor, me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve vendos nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është përkohësisht i paaftë për të ushtruar përgjegjësitë e veta. Kryetari i Kuvendit të Kosovës do të shërbejë si ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës derisa ajo/ai të bëhet i aftë që të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive të Presidentit. 3. Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj./21Media