Vlera e koeficientit, Gashi: Jemi të befasuar, është rritje kozmetike

Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës është shprehur i pakënaqur me vlerën e koeficientit të prezantuar nga Qeveria e Kosovës që është në vlerë prej 105 euro.
Kryetari i kësaj sindikate Ali Gashi thotë se rritja e pagave e prezantuar nga Qeveria është rritje kozmetike dhe jo për t’u përballur inflacionin e lartë.
“Ne si Federatë Sindikale e Administratës Publike qëndrojmë konistent kërkesës sonë dhe vlera e koeficientit të propozuar nga Qeveria, e që do duhej të miratohej në Parlamentin e Kosovës për ne është befasi dhe rrjedhimisht është e pa pranueshme, për arsyeje se këtu kemi rritje kozmetike. Duke marrë parasysh gjendjen e renduar ekonomike, inflacionin dhe çmimet enorme është e pa kuptimtë kjo vlerë e koeficientit. Andaj nuk kemi si ta pranojmë si të tillë”, thotë ai.
I pyetur nëse ekziston mundësia për grevë, Gashi thekson se nuk përjashtohet asnjë variant, derisa shtoi se shpejt do të dalin me një qëndrim të përbashkët me sindikatat.
“Ne jemi në koordinim me federatat sindikale tjerat të cilat përfaqësojnë sektor të ndryshëm dhe momentin që do ulemi dhe ta bisedojmë këtë temë, atëherë do të dalim me qëndrim të përbashkët lidhur me situatën…Pra do të merren qëndrimet dhe në kuadër të atij qëndrimi do të dalim me qëndrim të përbashkët, por kurrsesi nuk përjashtohet asnjë variant”, tha Gashi
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka prezantuar vlerën e një koeficienti për pagat në sektorin publik, i cili pritet të jetë 105 euro për vitin 2023.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se vlera e koeficientit të Ligjit të Pagave është 105 euro për vitin 2023, ndërkaq, tha se në vitin 2024 sipas llogaritjeve të bëra vlera e koeficientit do të jetë 110 euro. /kp

Back to top button