Nëse në regjimin tuaj ushqimor nuk duhet të mungojë një perime, ajo është karota. Vlerat e saj ushqyese e vitaminat e bëjnë një ushqim shumë të shëndetshëm për sytë, lëkurën, dhëmbët e aparatin tretës. Nëse ndodh rrallë që karotën ta hani, sigurohuni që vlerat e saj ushqyese t’i merrni përmes lëngut të karotës.

E pasur me vitaminë A

Vetëm një gotë lëng karote në ditë mund të sigurojë 100% kërkesën e trupit për vitamin A. Kjo vitaminë është e mirë për sytë e përveç kësaj, vitamina A është e nevojshme për zhvillimin e indeve, veçanërisht ato në kockat tuaja.

Vitamina C

Lëngu karotës është gjithashtu i pasur me vitaminë C. Pirja e një gote lëng karote mund të plotësojë 35% të nevojave tuaja për këtë vitaminë. Vitamina C ndihmon në prodhimin e kolagjenit në lëkurë, forcon dhëmbët dhe eshtrat dhe duke qenë se është një antioksidant shumë i fuqishëm ndihmon në eleminimin e toksinave.

Kalium

Lëngu i karotës përmban kalium, i cili është një mineral i rëndësishëm që ruan balancin e elektroliteve dhe lëngjeve të trupit. Një gotë lëng karote na siguron 10% të sasisë së përditshme të kaliumit. Mungesa e kaliumit në trup rrit rrezikun e sëmundjeve të veshkave.