Volejbolli mbledh shtetet ballkanike në Prishtinë, a do të marrë pjesë edhe Serbia
Kosova fitoi të drejtën e organizmit të Kampionatit Ballkanik U20 për volejbollin e meshkujve, si organizimin e garës “Beach Volley” për femra dhe meshkuj për moshat deri në 22-vjeç. Kjo është një arritje për Federatën e Volejbollit që arriti të triumfojë përballë kandidaturave të tjera që u ofruan të organizonin këto kompeticione.
Sekretari i Federatës së Volejbollit, Valon Nikqi, deklaroi se është bërë një punë e madhe për të shënuar një tjetër të arritur për sportin e Kosovës.
“Ne si federatë kemi arritur ta fitojmë të drejtën e organizimit të Kampionatit Ballkanik për meshkuj U20 si dhe për kampionatin e ‘Beach Volley’ për meshkuj dhe femra U22. Të them të drejtën këtë vit ka pasur konkurrencë shumë të fortë për shkak se ne jemi paraqitur edhe për organizimin e disa garave mirëpo ka pasur edhe federata të tjera që kanë dashur të organizojnë kështu që në një farë mënyre ne i kemi marrë disa dhe federatat e tjera disa”, tha Nikqi.
Tetë shtete tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kampionatin Ballkanik, por ky numër pritet të rritet për shkak të rëndësisë që ka ky kampionat i cili pritet të zhvillohet gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht.
“Pjesëmarrjen në këtë garë e kanë konfirmuar tetë shtete mirëpo është edhe një afat kur do të caktohet pjesëmarrje definitive, presim ndoshta që ky numër të rritet mirëpo ndodh që ndonjë shtet, varësisht edhe prej kohës kur organizohet, mund edhe të heq dorë mirëpo duke e ditur nivelin e kësaj gare dhe interesin e shteteve pjesëmarrëse po besoj që ky numër gjithsesi do të rritet. Ndoshta nuk i dimë datat e sakta të organizimit mirëpo këto duhet të organizohen nga gjysma e muajit qershor e tutje deri në fund të muajit gusht”, theksoi Nikqi.
Serbia është pjesëmarrëse e rregullt e kësaj gare përgjatë viteve, por fakti që kësaj radhe zhvillohet në Kosovë, prania e saj është në dyshim.
Megjithatë, sekretari i FVK-së thotë se ata janë të gatshëm të ofrojnë kushte të barabarta sikur për të gjitha shtetet e tjera sepse, sipas tij, Kosova nuk dëshiron të shkaktojë probleme në këtë drejtim.
“Ne çdo herë kemi pasur qasje konstruktive në raport me këto ngjarje. Ne i kemi caktuar prioritetet tona në garat në të cilat do të marrim pjesë. Gjithashtu ne kemi ofruar për të gjitha shtetet, jo vetëm për Serbinë mirëpo ne do t’iu ofrojmë të gjitha shteteve që dëshirojnë të marrin pjesë në këto gara do ta kenë tretmanin e njëjtë. Normal që raportet e dy shteteve tona nuk janë në nivelin sikur me shtetet e tjera mirëpo ne iu kemi ofruar edhe Serbisë që nëse ata duan të marrin pjesë në Kosovë ne jemi të gatshëm t’iu ofrojmë siguri. Kështu që nuk është që Kosova shkakton probleme në këtë drejtim mirëpo nuk kemi hasur në probleme edhe ne deri më tani nga Serbia, për shkak se nëse ne kemi pasur interes të marrim pjesë dhe ata kanë qenë organizatorë të këtyre ngjarjeve, do të thotë ata kanë hequr dorë që këto ngjarje i ka organizuar një shtet i tretë”, bëri të ditur sekretari i FVK-së.
Nikqi zbulon edhe agjendën e garave dhe aktiviteteve të tjera që Federata e Volejbollit të Kosovës do t’i zhvillojë gjatë vitit 2022, ku një fokus te veçantë do ta ketë krijimi i ligës së përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë e cila do të quhet “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.
“Paraprakisht ne do të fillojmë me garat në kampionatin tonë, garat në Superligën A, B dhe Ligën e parë. Superliga do të vazhdojë në javën e dytë të shkurtit. Këtë vit do të startojmë më ligën e përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë e cila këtë vit do të zhvillohet në formë turneu si një lloj testi, liga ‘Gjergj Kastrioti-Skënderbeu’, ku dy ekipe femra dhe meshkuj të Kosovës dhe dy ekipe nga Shqipëria në konkurrencën e femrave dhe meshkujve do të luajnë së bashku në formën vajtje-ardhje ndërsa finalet do të zhvillohen Tiranë. Tjetër çfarë është e rëndësishme janë edhe dy kualifikime të kampionateve evropiane që i kemi fituar, njëra është për konkurrencën e femrave U19 që do të zhvillohen gjatë muajit prill ndërsa tjetra janë kualifikimet e Kampionatit Evropian në grupmoshën U22 në konkurrencën e meshkujve. Edhe këto do të jemi nikoqir, do të thotë në Kosovë, kështu që këto janë disa nga ngjarjet përveç atyre që i përmendëm më herët”, tha në fund Nikqi.
Nikqi në fund theksoi se Federata e Volejbollit të Kosovës gëzon mbështetje te kënaqshme edhe nga Ministria e Sportit si dhe Komiteti Olimpik i Kosovës./kp