Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, tha sot se Këshilli i Bashkimit Evropian duhet që të heqë vizat për Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në debatin për raportin e progresit për Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë Veriore në PE, Viola Von Cramon tha se është koha e fundit që Këshilli i BE-së të liberalizojë vizat për Kosovën.

“Njerëzit në Kosovë më impresionojnë me dëshirën e tyre për të qenë pjesë e BE-së, në fakt asnjë shtet në rajon nuk shfaq qëndrim më të fortë për BE-në sesa Kosova, por ky fakt nuk mund të merret përgjithmonë si i mirëqenë nëse nuk përmbushim detyrimet tona, ne humbim kredibilitetin dhe besimin, është koha e fundit që Këshilli i BE-së për të dhënë premtimin e tij për liberalizimin e vizave. Unë ndaj frustrimin e qytetarëve të Kosovës, unë do të dëshiroja që Parlamenti Evropian do të mund të vendoste për këtë çështje”, tha Viola Von Cramon.

Ajo shprehu edhe shqetësimin e saj për shkak të mos furnizimit të Kosovës me vaksina kundër koronavirusit.

“Një tjetër çështje është mungesa e furnizimit të Kosovës me vaksinat (COVID-19). Kapaciteti i prodhimit në BE po rritet dhe kjo duhet të shfrytëzohet që të furnizohet edhe Kosova sa më parë që është e mundur BE-ja duhet të përkrahë vaksinimin e shpejtë të personelit mjekësor dhe grupeve tjera më të ndjeshme”, tha ajo.

Raportuesja për Kosovën tha se Prishtina zyrtare nuk duhet ta braktisë procesin e dialogut, pasi që njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është parakusht për anëtarësimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

“Kuvendi i ri dhe qeveria duhet të gjejë gjuhën e përbashkët dhe të zgjedhë presidentin e ri. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, qeveria e re të vazhdojë dialogun, pavarësisht vështirësive Kosova duhet që të mbetet e përkushtuar që të punojë me BE-në rreth dialogut dhe mos ta braktisë dialogun. Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është parakusht që dy vendet të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, tha Viola Von Cramon.