Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon ka reaguar pas votimit të sotëm në Kuvend për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. Von Cramon përmes një shkrimi në Twitter e ka uruar Qeverinë Hoti, teksa u shpreh se ka shumë punë në të ardhmen.

“I uroj punë të suksesshme Avdullah Hotit dhe qeverisë së tij në Prishtinë. Qeveria ka shumë punë për të bërë, këto janë kohë thelbësore si për çështjet e brendshme ashtu edhe ato ndërkombëtare, shpresoj se qeveria e re do të jetë në gjendje të ekzekutojë reforma dhe të punojë për një Kosovë më të mirë”, shkruan Von Cramon në Twitter.

Von Cramon e ka quajtur të papranueshëm presionin mbi disa deputetë në prag të votimit për Qeverinë Hoti.

“Megjithatë, nuk mund t’i mbyllim sytë para rrethanave lidhur me zgjedhjen e Hotit. Anëtarët, e zgjedhur në mënyrë demokratike, të Parlamentit të Kosovës, ishin nën presion jashtëzakonisht të madh prej udhëheqësisë së LDK-së dhe prej presidentit Thaçi”, ka shkruar ajo në reagimin e saj.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është votuar Qeveria Hoti, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim. Hoti do të qeverisë me kabinetin e tij të përbërë nga 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministra./21Media