Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka reaguar pas votimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në zgjedhjet e Shqipërisë që janë duke u mbajtur sot.

Në një postim në Twitter Von Cramon ka thënë se nuk e kupton se si në Kosovë ankohen për ndërhyrje të Serbisë e në anën tjetër kryeministri i Kosovës madje voton në një shtet fqinj.

“Nuk mund ta kuptojë gjithë këtë. Në njërën anë të gjithë në Kosovë ankohen për ndërhyrjen nga Serbia apo nga presidenti Aleksandar Vuçiq vet, por në anën tjetër këtu kryeministri i Kosovës edhe voton në një shtet fqinj. Nuk është e pranueshme, së paku jo për mua”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot votoi në Shqipëri. Sipas Kurtit, secili njeri që e ka pasaportën e Republikës së Shqipërisë duhet të votojë./21Media