Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Podujevë në shpinë të breshkës…

Në Ministrinë e Infrastrukturës janë të bindur se brenda afatit do të përfundojnë punimet

Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Podujevë, po shkon me ritëm të ngadaltë. Në fillim të majit të këtij viti kishte filluar zgjerimi i segmentit “Luzhan-Gllamnik”, me gjatësi prej katër kilometrave, derisa ende nuk është as përafërsisht gati që të kryhen punimet.

Kjo po i nervozon qytetarët e Podujevës, të cilët kalojnë çdo ditë në këtë rrugë, e cila krijon kolona me kilometra si pasojë e punimeve të ngadalta. Qytetarët shprehen të zhgënjyer me ritmin e punimeve, duke thënë se është e pakuptimtë që ky segment që po zgjerohet të zgjasë kaq shumë.

Pos qytetarëve që kalojnë me vetura nëpër rrugën tashmë të prishur, probleme dhe dëme, vonesat e përfundimit të kësaj rruge, po u shkakton edhe bizneseve që janë përskaj rrugës.

Hajriz Shala qytetarë nga komuna e Podujevës, ankohet se zgjatja e punimeve për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, po bëhet e tepërt, duke qenë se po u shkakton probleme kalimit të automjeteve, të cilat presin në kolona edhe me orë. Sipas Shalës, janë shumë faktor për këtë vonesë në punime, por ajo që pëson me së shumti janë qytetarët dhe biznesi qëështë për gjatë kësaj rruge.

Edhe Ilmi Sekiraqa shprehet i indinjuar me vonesat që po bëhen në përfundimin e kësaj rruge. Ai tha se qytetarët që kalojnë çdo ditë kësaj rruge, presin me orë për të kaluar pjesën që po ndërtohet rruga.

Xhafer Krasniqi tha se mungesa e punimeve për ta kryer sa më shpejt këtë pjesë të rrugës, po u shkakton probleme në qarkullim, pasi përveç pritjes në kolona, po u dëmtohen edhe veturat.

Edhe në Ministrisë së Infrastrukturës e pranojnë se ka shqetësime për ngadalësim të punimeve, por janë të bindur se brenda afatit do të përfundojnë punimet.

Këshilltari politik i ministrit Lekaj, Fatos Mani, ka thënë për Kp se janë njoftuar me shqetësimet e qytetarëve që kalojnë në atë pjesë por edhe bizneseve dhe për këtë edhe vet ministri ka dalë në teren. “Në fakt po, edhe ministri Lekaj me kërkesë të tij dy herë e kemi vizituar rrugën, bashkë edhe me menaxherin e projektit që është nga ministria. Po ashtu ne kemi edhe një komision i cili është mbi palë dhe rregullisht bënë vizita në teren ta sheh edhe planin e dinamikës edhe cilësinë e punimeve dhe jemi kujdesur si kabinet në bazë edhe të kërkesave të qytetarëve por edhe palëve tjera të shqetësuara që t’i rrimë shumë gati operatorit në mënyrë që punimet edhe të jenë në bazë të planifikimit por edhe cilësore ashtu siç janë me paramasatë caktuara”, tha Mani.

Mani shtoi se janë dy kompani që po i kryejnë punimet në këtë rrugë. Derisa, në pjesën ku po i kryen punimet AlTrade, ka probleme pronësore.

“Njëri zgjerim punon me dinamikë të plotë, është kompania “Rukolli” si fituese e një loti, kurse në lotin tjetër ku fitues është“AlTrade” kemi disa probleme pronësore dhe rreth një ure e cila ende nuk ka vendim se a do të rrënohet, a do të ndërtohet urë e re apo mund të rrijë si e tillë dhe mund të shtohet edhe një urë e re”, shtoi ai.

Afati për përfundimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë janë dy vjeçare, derisa Ministria pret që ky afat do të respektohet dhe rruga të jetë gati. Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Podujevë, segmenti “Lluzhan-Gllamnik” me gjatësi prej katër kilometrave ka filluar të ndërtohet në fillim të muajit maj të këtij viti.

Back to top button