Tashmë edhe kandidati për të parin e Mitrovicës së Veriut nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Florent Azemi ka hedhur votën e tij në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po mbahen në këtë komunë.

Azemi pasi që hodhi votën e tij në qendrën e votimit në lagjen e Boshnjakëve, thotë se e rëndësishme është që zgjedhjet të jenë të lira e demokratike dhe me vlera evropiane. Derisa iu ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë.

“Sapo votova në pikën e lagjes së Boshnjakëve këtu ku jetoj dhe veproj. Mendoj që qytetarët duhet që qytetarët sa më shumë që është e mundur me dalë me votu dhe iu bëjë thirrje me dalë. Por çka është me rëndësi është që ky proces me qenë më i lirë dhe demokratik, procesi me pas vlera evropiane dhe me qenë demokratike dhe po besoj dhe shpresoj që ka me shku gjithçka mirë”, tha Azemi.

Ndërkohë që ai tha se procesi është duke shkuar mirë dhe gjithçka është e qetë.

Kurse i pyetur nga pritjet e këtyre zgjedhjeve, Azemi ishte i shkurtër duke thënë se do të flas pasi të dalin rezultatet.

“Deri tani nuk kam pas vërejtje. Procesi po rrjedh mirë. Është qetë në rregull […]Me rëndësi është që ky proces me qenë demokratik, presim rezultatet dhe më pas flasim”, është shprehur Azemi.

Ndërkohë që në Mitrovicën e Veriut ka votuar votuar edhe kandidati i Listës Serbe, Milan Radojeviq dhe kandidati i Vetëvendosjes, Erden Atiq.

Kurse për media është deklaruar edhe kryetari i KQZ-së në Mitrovicën e Veriut, Sllobodan Dimitroviq. Ai ka deklaruar se në këtë komunë janë marrë të gjitha masat për një mbarëvajtje të rregullt të zgjedhjeve dhe qytetarët janë duke respektuar masat ndaj COVID-19. Ai po ashtu tha se gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.