Vrasja e shqiptarit në Londër: Flamur Beqiri u qëllua në sy të djalit

Beqiri u qëllua në sy të bashkëshortes dhe djalit

Tabloidi britanik Daily Mail zbardhi detaje të reja nga vrasja e 36-vjecarit shqiptar, Flamur Beqiri, i cili njihej në Londër vitet e fundit si producent. Duke e krahasuar ngjarjen me një skenar të filmave hollovudianë gazeta shkruan se vrasja ndodhi kur viktima po shoqëronte gruan e tij dhe djalin në shtëpinë e tyre prej 1.8 milionë paundësh në një nga rrugët më të pasura në jug-perëndim të Londrës.

Një person i vetëm doli si hije dhe qëlloi të riun në sy të bashkëshortes dhe fëmijës në natën e Krishtlindjes. Fqinjët dëgjuan pesë të shtëna, katër njëra pas tjetrës që goditën Beqirin në shpinë dhe një krismë tjetër pasi viktima ra përtokë dhe autori u afrua e qëlloi në kokë para se të arratisej.

Hetimet që pasuan vrasjen nxorën në pah faktin se emigranti me origjinë shqiptare kishte qenë një nga personat më të kërkuar në Suedi, i dyshuar si drejtues i një grupi droge, të cilit i janë kapur sasi kanabisi me një vlerë 2 milionë paundësh. Beqiri ka qëndruar shumicën e kohës në arrati derisa i është dorëzuar policisë dhe më vonë ishte lënë i lirë pas një situatë të çuditshme ligjore që ka përfunduar me një dënim me kusht dhe një gjobë.

Pasi ishte liruar sipas policisë suedeze, Beqiri dhe bashkëpunëtorët e tij kishin rifilluar tregtinë e fitimprurëse të drogës, por shpejt ishte përfshirë në një betejë për territore me grupet rivale turke që kanë kontrolluar rrugët e kokainës dhe kanabisit nga Maroku, përmes Spanjës, deri në qytetin Malmo ku ka jetuar Flamur Beqiri.

Si pasojë e përplasjeve mes bandave disa nga njerëzit e shqiptarit ishin sulmuar dhe vitin e kaluar njëri prej tyre ishte vrarë.

Në këtë kohë 36-vjeçari ishte transferuar në Londër pas dy kërcënimeve me vdekje në vitin 2015. Pasi ishte vendosur në britani ai ka frekuentuar ambiente VIP, ndërsa një nga motrat e tij, Misse Beqiri, ish-modele është martuar me portierin rezervë të Manchester Unitedit, Anders Lindegaard dhe dy vjet më vonë ka luajtur në një serial televiziv.

Përmes motrës, Flamur Beqiri ka takuar gruan e tij, Debora, e cila ka postuar në Instagram imazhe nga pushime ekzotike, makinat luksoze dhe udhëtimet e shumta që ka kryer.

Dasma e tyre, në tetor 2018, në Liqenin e Como në Itali ka kushtuar më shumë se një milion paund. Daily Mail në artikull shtron pyetjen se pse Zyra e punëve të Brendshme i ka lejuar transferimin në britani këtij personi me lidhje të njohura për kontrabandën e drogës dhe krimin e organizuar.

Tabloidi pyet edhe për faktin se pasuria dhe shpenzimet marramendëse të shqiptarit nuk janë hetuar përfshirë edhe bizneset e dyshimta që ai ka ngritur para se të vritej./oranews

Back to top button