Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, sot në 18 vjetorin e vrasjes përkujtoi veprimtarin e LDK-së, ish-kryetarin e Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçin.

Mustafa u shpreh se Uka ishte një personalitet i veçantë, i urtë e modest, punëtor dhe shumë i afërt me të gjithë qytetarët, kjo sipas tij, është dëshmuar edhe në fitoret e tij plebishitare.

“Ai ishte një prej themeluesve të LDK-së, kryetar shumëvjeçar i LDK-së në Suharekë, mik i afërt i Presidentit Rugova dhe pjesë e plejadës së burrave të mëdhenj që dhanë kontribut në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Menjëherë pasi ai shënoi fitore në Suharekë, u qëllua pabesisht nga shkrepjet e disa keqdashësve që nuk ia donin të mirën as LDK-së, Suharekës dhe as Kosovës dhe vrasja e tij ishte mënyra e vetme për ta mposhtur atë në fitoret e vazhdueshme të tij.”, citohet se u shpreh Mustafa.

Sipas Mustafës, vrasja e Bytyçit ishte një goditje e rëndë për Kosovën dhe institucionet e saj.

“Ukë Bytyçin do ta kujtojmë përherë si pishtar i demokracisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Edhe pse kanë kaluar 18 vite nga vrasja e pabesë e tij, mbetet dhimbja e madhe jo vetëm për familjen Bytyçi, por edhe për LDK-në dhe gjithë Kosovën, që humbi burrin e madh të Suharekës, liderin e përmasave kombëtare, Ukë Bytyçin.”, bëhet e ditur në komunikatën e LDK-së.

I ndjeri Bytyçi, i cili ishte edhe kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Suharekë, ishte vrarë më 27 tetor 2002 në Leshan, derisa po kalonte përmes fshatit së bashku me simpatizantët që i gëzoheshin fitores së freskët në nivel komunal. /21Media